Samstag, 30. Dezember 2017

Fundi i një ëndrre

Haxhi Muhaxheri

FUNDI I NJË ËNDRRE

Rrugës së ngushtuar të lotëve 
dogja të gjitha kujtimet
e shkruara për ty
në fletët e grisura të kohës
dhe hirin e hodha
mes valëve të detit

Në stinën e vrarë të pritjës
orëve të zeza të durimit
këndova me zë mjellme
himnin e dhembjës

Kështu i dhash fund 
ëndrrës së moçme
me dhëmb të mbreht
se u dashka jetuar
edhe me shpirt ndër dhëmb
vaj unë i mjeri
e kthim mbrapa s’paska

Sot mos dilni nga shtëpia
se priten rrëbeshe 
e goditje rrufesh

Sot as të vdisni nuk bën
se vajtocave ju ka shterur zëri

Sot...
oh sot lutuni veç për mua
aman...
e shkronjën e parë të Lirisë
se diellin rob ma kanë zën
në pragun e çmëndisë
dhe n'shpirt më ther një fjalë
që humbur e ka udhën...

30 dhjetor 2017

Sonntag, 24. Dezember 2017

Më prit

Haxhi Muhaxheri


MË PRIT

E dashur
Nesër 
Ne freskun e agut
Do të bëhem ajër
E me shpejtësi drite
Do të vij 
Lehtë lehtë
Pahetueshëm
Të futem
Për vrimë të çelësit
Në dhomen tuaj
Në shtrat
Në ty
E ta shijoj
Pllëmb për pllëmb
Bukurinë e Atdheut
Bashkë me melodinë
E Këngës së Psherëtimave

Nesër
Më prit zgjuar 
Princesha ime
Bashkë do ta pijmë
Kafenë e mëngjesit
Shoqëruar me lëng pjeshke
Llokum trëndafilash
E aromë djersësh
Neser... mos harro...

15.12.2017

Kur Etën e zë gripi



KUR ETËN E ZË GRIPI

Kur Etën e zë gripi
Diellit i erren sytë
Plaket hëna
E shuhen yjet

Arratisen shkronjat
Vargjeve u bie pika
Muzat varin veten
Këngës i ndalet rrita

Vdesin lirikat
Ç'mëndet poeti
Loton qielli
E trazohert deti

Zgjohet laneti
Vajton planeti
Përhapen magjitë
E godet tërmeti

23. 12. 2017

Samstag, 23. Dezember 2017

Diçka po ndodh e dashur

Haxhi Muhaxheri


DIÇKA PO NDODH E DASHUR

E ndjej 
Diçka po ndodh 
E dashur
Rrugëtojmë 
Me shpejtësi drite
Udhës së Qumshtit 
Galaktikave
E me mikroskop jonik 
Shikohemi
Por heshtjen 
Nuk e thyejmë

Eta
As pluhuri kozmik 
Më nuk e shuan
Zjarrin e ndezur 
Brënda nesh

Futur jemi 
Labirintheve
Fushës magnetike 
Të mendjes
Dhe aty 
Ngritur e kemi 
Flamurin e bardhë
Se shpirti 
Na është zën peng moj
E kthim mbrapa nuk ka

Në gjakun e ndezur
Kapilarëve të zemrës
Ku hareshëm lozin 
Protonet neutronet
Nisi proçesi i ngjizjes
E përbrenda bërthamës
U shfaq një dimension i ri 
Për jetën

Eta
Tash edhe matematika
Humbur e ka imunitetin
Se me zero 
Dhjetra herë 
Shumëzuar të kam
Po përfundimi 
kurrë nuk më doli zero

Diçka 
Vërtetë ka për të ngjarë
E dashur
Shkatrruar janë magjitë
E dyshimi është mundur
Lum unë i lumi

Por... Dreqi e marrtë
Lodhur më kanë formulat
Ëndërrat keq më janë dehur
Koka në dysh më është ndarë
E sytë po më lën
Mjer unë i mjeri... Ç’po ndodh...

Klinika mentale
Nuk pranon më pacient
Se çmendur janë 
Edhe mjeket
Lum unë i mjeri oh
Mjer unë i lumi

Kush më thotë
Sa është ora
Në ç’stinë jemi vallë
Po emrin... emrin si e pata...

08.12.2017

Vargje me grip

Haxhi Muhaxheri


VARGJE ME GRIP

Kot bredh 
Brigjeve të mendjes
Ënd֝ërr më ëndërr
Viteve
Miteve
Lëgjendave
E historisë
Në kërkim të fjalës
Së humbur planeteve

Edhe nëntë bijat e Zeusit
I ka zën gripi
E dashur
Më nuk i ndihmon 
Vitamina C
E as çaji 
Me lëng limoni

Mbaje veten
Perëndeshë (I)lirie
Merr ngrohtësinë
E trupit tim
Puth diellin 
Mëngjeseve
Shpirt jepu Lirikave
Që dashuria 
Ta vrasë sëmundjen
E kënga 
Ta mund vajtimin

22 dhjetor 2017

Montag, 18. Dezember 2017

Eta dhe Kometa


ETA DHE KOMETA

As nata e mori vesh çfarë i ndodhi
Kur numërat ndryshuan në rrethin e shtatë
E Liria udhëtoj dimensioneve të panjohura
Bashkë me dritën që lëshuan rrufetë

Eta Eta 
Bërthamën godet Kometa

U thye kufiri ndryshuan polet pushuan ëndrrat
Në Teatrin e Qiellit u shfaqen dy silueta
E hënës një yll fshehurazi ia shkeli syrin
Pastaj doli fjala se veten burgosi tundimi

Eta Eta
Ku mbet Kometa

Sonntag, 17. Dezember 2017

Dasma e poetëve

Përplot me krushq 
Ishte dasma e poetëve
Po vargjet keqas ishin sëmurë
Për mungesë oksigjeni

Aty fryma të zihej

Nga aromat e përziera të parfumëve 
E gazërat që vinin furishem
Nga gogësimat e dollibashëve

Rrethin ngushtuar e kishin

Dylberet e përvuajtur
Me çantat e tyre plot libra të trashë
Ku fjalës vrarë ia kishin bukurinë

Të mira ishin vetëm kollaret e gopçarëve

Që xhepat mbushur kishin me viagra
Dhe palltot e zonjave të harlisura
Me gjurmët e fshehura të moshës

Koblenz, 25 nëntor 2017

Pa titull

Kësaj poezie
Nuk i dhash emër
Se titulli je Ti
Perëndeshë e egër
Që pushton zemrat

17.12.2017

Dashuri e mallkim

I.

Kur Ti më mungon
Në sy më varet malli
Ëndërrat nuk i zë gjumi
Trazohen valët e detit
E shkreptijnë rrufetë

Pastaj
Si i çmendur
Zbardh netët
Me portretin tënd
Fiksuar në mendje
E shpirti merr udhë
Mbi tehun e shpatës

Kur afër më vjen
Damarëve të zemrës
Bëhet rrëmujë
E filloj të jetoj
Me frymën tënde
Të ndjej

Pastaj
Frymëzohem
Digjem
Përvëlohem
Sulem
Tërbohem

E prapë 
Më mungon
E prap 
Më verbon

II.

Të duash është bekim
Më ke pas thënë
Një natë dhjetori
Po Ti 
Kurrë nuk e mësove
Se unë lindur jam
Ditën kur i vranë
Zogjtë mbi qërshi
Veç pse kënduan
Këngë dashurie
Dhe mallkimi mori dhenë

Thonë se atë ditë
Është thinjur dielli
Thonë se atë çast
Është errësuar qielli

Thonë se atë natë
Ka lotuar hëna
Thonë se atë vit
Melodin e humbi kënga

17 dhjetor 2017

Freitag, 15. Dezember 2017

Pesha e kryqit

Sonte
Dua të jem 
Sy më sy me veten
E vetminë ta puthë në ball
Se kam ca llogari të hapura
Që më duhet ti mbyll
Përdhunshëm 
Unë i gjori
Oh...

Sonte
Deri në palcë
Kam për ta shijuar
Mungesën e Lirisë
Se mua shpirtin
Keq robëruar ma ke moj
He plastë kjo zemërmjera

Sonte
Në derën time 
Mund të trokasin
Veç frymëzimet e çmendura
E të shkruhet 
Një këngë e re vajtimi
Oiiiiiiiii... Oiiiiiiiii... Oiiiiiiiiih

Sonte
Ooooh... sonte...
E dashura ime
Sall një dëshirë e kam 
Të vijsh si era
E të futesh thellë 
Thellë në mua
Zjarrin të ma shuash
Dhe plagët e mendjes 
Të mi shërosh

Sonte
O miq
Më leni të qetë
Dua të pi 
Te pi 
Të pi 
E vetës 
Luftë ti shpall
Se vargjet 
Mi kanë zënë ethet
Medet

Sonte
Eu... sonte
U harroft kjo natë
Bashkë më emrin tim

O Zot...
Sa e rëndë qënka
Pesha e kryqit...

15 dhjetor 2017 / 02:22 h

Montag, 11. Dezember 2017

Të jesh çam

Të jesh çam
patjetër
duhet ta kesh
të shkruar në vetull
formulën e dhembjes
e përditë të zhytesh
në Detin e Lotëve
bashkë më ëndrrat 
që kurrë s'i zë gjumi

28. 09. 2015

Loti i çamit


Loti i çamit

I bie gurit 
dhe e shpon

Damareve të tokës
merr udhë
drejt zemres 

Pastaj
mbijnë trëndafila të kuq
me shikim kah dielli
e aromë atdheu

14. 10. 2015 – 02:09 h

Në këmbë

Nga Haxhi Muhaxheri

Kur njeriu është në këmbë,
botën e ka vështirë ta shikoj 
ulur apo në kokërr të shpinës.

Lum ai që shtigjeve të blerta
ngarend mbi këmbet e veta varur,
yjet, qiellin e zotin më afër i ka.

Miq, ruani këmbët...,
si kokën mbi jastëk ti mbani!
Të mos ju tradhëtojnë 
e jetën ta bëni mbi to kalëruar!

Kur njeriu të jetë në këmbë,
me valet e detit, rrezet e diellit, 
fluturat e pranverës loz valle
dhe ngritet rrëmbimthi 
sa herë të jetë rrëzuar. 
Lum si ai...!

11. 04. 2016
(E pa redaktuar)

Eta

Poezi nga Haxhi Muhaxheri

Eta ëshë vendi
ku bashkohen
lumenjt e jetës
atdheu ku rritet
përmasa e dashurisë

Eta mban emrin
zëri i universit
perendesha
që zemrat pushton
ilaçi që sheron
të gjitha sëmundjet
lehona që sisë i jep Lirisë
urdhëri i fsheht i Perëndisë
Itaka ime e Dashurisë

12 dhjetor 2017

Sonntag, 10. Dezember 2017

Mbrëmë

Haxhi Muhaxheri
Poezi nga Haxhi Muhaxheri

Mbrëmë
atye ishe dhe ike,
e mua më zuri gjumi
në prehërin e vetmisë.

Mbrëmë 
kot trokita në derën tuaj,
në pëqafim 
iu hodhe heshtjës.

Mbrëmë
as zërin ta dëgjova moj,
e frymëzimet
i zuri acari.

Mbrëmë
nuk e di ç'dreqin pate Eta,
por mua
diellin verbuar ma ke.

10 dhjetor 2017