Freitag, 18. Mai 2018

Bukuria e pritjës

Haxhi Muhaxheri

BUKURIA E PRITJËS

Ti që pamëshirshëm
Përmbys çdo ëndërr
Pse ma shëmtove
Bukurinë e pritjës...
Më thuaj moj – pse...

Unë – sa kisha filluar 
Ta ndjeja frymën e saj
E të kënaqesha – 
Ashtu si robi kënaqet
Me mungesën e Lirisë
Kur shpirti stërkeqet 
N‘kalvarin e durimit...

Dreqi e marrtë
E dashur –
Pse u nxitove 
Pse... 
Kur e dija se një ditë 
Do ta thoshe patjetër
Atë fjalë – të valë
Me peshë sa bjeshka...

Tash – ujk mbetem 
Por mbret s'bëhem dot
Pa e mundur djallin e durimit
Për ta sh'ndrruar më pas
Në lule të kristaltë…
______
Haxhi Muhaxheri
19 mars 2018

Fundi i lojës

Haxhi Muhaxheri

FUNDI I LOJËS

Kur në prehërin e prillit
u shfaq “Fundi i Lojës”,
ëndrrave ju doli gjumi.

Dëshprimin – ia fala detit.

Pastaj – universit të shpirtit
nisi të luhej simfonia hyjnore
dhe Perënditë cakrruan gotat.

Në teatrin absurd – ikën dritat.

21 prill 2018

Është dikush...

Haxhi Muhaxheri

ËSHTË DIKUSH...

Është dikush 
që keq m'ka lidhur.
Ritmin e zemrës
përditë po ma ndërron!

Është dikush që netëve
vjedhur ua ka gjumin...
Më bën... Zotin ta shoh!

Është dikush...dikush është...
Na ndajnë kontinentet,
për t'na bashkuar zemrat!

25.04.2014

Veç për Ty

Haxhi Muhaxheri

KUR VJEN E DIELA...

Të hënën
të dua marrëzisht,
për të urrejtur 
të martën 
… prej dashnisë!

Të mërkurën 
të dua si sytë,
që të enjtën
të urrej sa veten 
… prej syrit të keq!

Të premten 
të dua si jetën,
për të urrejtur
të shtunën –
veç pak 
… prej xhelozisë!

Të dielën...
Oh... kur vjen e diela,
të dua baras me Zotin 
dhe veten e harroj
duke u lutur për Ty!

24. 04. 2018

Veç në ëndrra

Haxhi Muhaxheri

VEÇ NË ËNDRRA

Po ç'dreqin ke... 
Ti që përnatë 
më vjen veç në ëndrra?

Më thuaj – që ta di...

Gjumin ma ke vra' moj
diellin – ma ke nxi‘...!