Mittwoch, 14. März 2018

Verës, në Ditën e Verës...


Haxhi MUHAXHERI

VERËS, NË DITËN E VERËS...

Ti Verë – veç shpirtit - more krejt çka tjetër deshe nga unë
Pastaj – mallkimet në emër të Krishtit e të Muhamedit
Shëmtuan bukurinë e stinës – plagosën ëndrrat e blerta
E ne vazhdonim lutjet – duke bërë kryq e duke puthur token
Prej frikës së magjive apo të dehur nga opiumi i gënjeshtrave
Pa e kuptuar kurrë fjalën e Zotit – bekimin e tij për dashurinë

Tash – veç kujtimeve – s’ka mbetur asgjë tjetër moj – asgjë
Unazat që moti janë ndryshkur – shpresat janë zverdhur  
Rrugët që i kemi pagëzuar pranverave – kanë ndërruar emër
Janë mbyllur të gjitha shtigjet – vrarë i kanë edhe zogjtë
Qiellit dëgjohen vargjet e poetëve për dashuritë e humbura
E nata veshur ia ka planetit përdhunshëm rrobat e zeza

Sot është Dita e Verës – njerëzit kapin rrezet – shkëlqejnë
Kurse ne mërdhijmë e mërdhijmë – se rrahur na kanë dimrat 
As ngjyrat më nuk i dallojmë – as erën e vjollcave s‘e ndjejmë
E s’kemi zgjidhje tjetër moj – veç të ikim largë e më largë
Tej shtatë maleve e deteve – në Ishullin Eta – atje ku sundon Perëndesha e Egër – të cilës edhe Zoti i bie në gjunjë… 

14 mars 2018