Mittwoch, 23. April 2014

Mini ese për poezitë e Haxhi Muhaxherit

 
Nga Rrahim Sadiku, shkrimtar

Mini ese për poezitë
e Haxhi Muhaxherit

Poezia e Haxhi Muhaxherit shëtit nëpër kohë e ngulitet në truallin e atdhedashurisë, ku e gjen edhe etja prej poeti, edhe malli prej mërgimtari, edhe shtytja prej kërkimtari. “Damarët e zemrës mi dogji mall” na bënë të bashkëndjejmë ai, duke patur në horizontin e mendjes një kohë kur “yjet do na kenë zili” dhe “i njëjti diell na ngroh”, në atdheun ku janë zbrazur “të gjitha marrëzitë e kësaj bote” dhe aty janë shtruar edhe dhembje shumë të mëdha, të cilat i ndjejnë të gjithë, po që janë tragjike për zemrën e ndjeshme të poetit, që në poezinë e tij simbolizohet me të madhin Ali Podrimja, i cili edhe gjallë edhe tashti, na kujton se në mendjen krijuese “kënga e re po vjen”. Dhe kjo këngë e re madhërohet me plisat, lartësohet me lisat, lahet me dhembje e dashuri Ҫamërie, duke u shndërruar kështu në simbol fitoreje, dëshire që kjo e arritur të shkojë deri në fund, që bota shqiptare të jetë e ndritur dhe me vendin e merituar në trojet etnike e në botë.

21. 03. 2014