Sonntag, 1. April 2018

Lulet e shpresës

Haxhi Muhaxheri
Të lutem – për atë fjalë 
që peshon sa bjeshka
kurorëzoje buzëqeshjen
me një puthje të ëndërrt

N‘bulëzim dashurie
çjerri të gjitha maskat
harroj lojërat e djallit
por jo Ligjet e Karmës
e ditën e gjykimit

Më pas – Perëndesha ime
shpirtit ngjalli të gjitha stinët
që fushave të blerta 
të çelin lulet e shpresës
____
Haxhi Muhaxheri

Edhe një herë


EDHE NJË HERË

U bën njëzet vjet që Ti 
këndon të njëjtën këngë
sa herë e harron Zotin

E unë...
prapë kërkoj ta përsëritësh 
edhe një herë... edhe një herë
aman... edhe një herë

Mbretin... 
ende nuk e ka zënë gjumi
__
Haxhi Muhaxheri 
04.03.2018

Kreshniku i Lirisë

/ Ismet Jashari /

Thonë se lindur kish me fletë
Thonë se zihej me rrufetë

Thonë se zbriste nga qielli
Sa herë errej dielli
E kur moti prishej në Arbëri 
Ai vriste nga një bajloz të zi

Komandat e thërrisnin
Veten e quante ushtar
Thonë se n’log të mejdanit
Gjithmonë ishte i parë

Thonë se vinta nga legjendat
Kreshnik (I)lirie
Thonë ishte shqiponjë Orizare
E Lis i madh Shqiptarie
_
Orizare - Fshati i lindjës së heroit
Haxhi Muhaxheri, 03.01.2018

Diell në shpirt Lirie

/Dëshmori Fadil Nimani/

Plisin e mbante në zemër
Armët – ngjeshur brezit 
Dhe hartën e kufijve n'sy

Kur terri shfaqej mbi atdhe
Vraponte tehut të shpatës 
Të përballej me kuqedrën

Emri i tij – kurorë lavdie
Shqipinjë e Kosovës
Diell në Shpirt Lirie
____ 
Haxhi Muhaxheri 24.03.2018

Dashuri e urrejtje

Aq shumë të dua – Perëndesha ime
Kam nisë me t'urrejtë prej dashnisë!

Veç Zoti e di ç'po ndodh – veç Ai...!

27.03.2018

Fjala kryeneçe

Ma zbardhe natën
e ditën krejt ma sose 
Ti – e pabindura fjalë
që u trembesh lindjeve

Dreqi e marrtë –
pse ruan virgjërinë
kur e di mirë moj
që jam ujk i moçëm
____
Haxhi Muhaxheri
28.03.2018

Mittwoch, 14. März 2018

Verës, në Ditën e Verës...


Haxhi MUHAXHERI

VERËS, NË DITËN E VERËS...

Ti Verë – veç shpirtit - more krejt çka tjetër deshe nga unë
Pastaj – mallkimet në emër të Krishtit e të Muhamedit
Shëmtuan bukurinë e stinës – plagosën ëndrrat e blerta
E ne vazhdonim lutjet – duke bërë kryq e duke puthur token
Prej frikës së magjive apo të dehur nga opiumi i gënjeshtrave
Pa e kuptuar kurrë fjalën e Zotit – bekimin e tij për dashurinë

Tash – veç kujtimeve – s’ka mbetur asgjë tjetër moj – asgjë
Unazat që moti janë ndryshkur – shpresat janë zverdhur  
Rrugët që i kemi pagëzuar pranverave – kanë ndërruar emër
Janë mbyllur të gjitha shtigjet – vrarë i kanë edhe zogjtë
Qiellit dëgjohen vargjet e poetëve për dashuritë e humbura
E nata veshur ia ka planetit përdhunshëm rrobat e zeza

Sot është Dita e Verës – njerëzit kapin rrezet – shkëlqejnë
Kurse ne mërdhijmë e mërdhijmë – se rrahur na kanë dimrat 
As ngjyrat më nuk i dallojmë – as erën e vjollcave s‘e ndjejmë
E s’kemi zgjidhje tjetër moj – veç të ikim largë e më largë
Tej shtatë maleve e deteve – në Ishullin Eta – atje ku sundon Perëndesha e Egër – të cilës edhe Zoti i bie në gjunjë… 

14 mars 2018