Freitag, 9. Oktober 2015

Kur hesht Zëri i Arberit


KUR HESHT ZËRI I ARBËRIT

Kur hesht Zëri i Arbërit
Dëgjoj veç krrokama
E shurdhër më bëhet bota
Dhe ëndërrat më treten

O Zot
Qiellit fluturojnë sorrëzezat
E dritën duan ta vërbojnë

Kur hesht Zëri i Arbërit
Trazohen edhe valët e detit
Qajnë yjet Lisat Plisat
E dielli e humb ngrohtësinë

Bobo
Zgjohen Orët e Liga
E qoftëlargu heq valle


Haxhi Muhaxheri, 03. 09. 2015 - 22:00 h

Mittwoch, 3. Juni 2015

Nesër...


Nesër...

Poezi nga Haxhi Muhaxheri

Nesër do jem edhe për një vit më i moçëm
Një vit do ikën tinëzisht nga jeta ime
Dhe më afër do jetë dita e lamtumirës
E miqët do të më urojnë si përhera...

Nesër do dehëm e xurxull do të bëhem
Për ti harruar të kqijat e kësaj bote
Dhe gjithë të dashurat do ti sjell në mendje
Që dashuria të mbretëroj në shpirtin tim

Nesër edhe dita do të jetë më e ngrohtë
E dielli ka për të lozur me ëndërrat e mia
Nesër veç muzat do më bëjnë shoqëri
E veten kam për ta shpallur mbret
___________
E çastit, 03. 06. 2015 / 11:30 h

Samstag, 25. April 2015

Lisat e mendjes

Poezi nga Haxhi Muhaxheri

Me gjuhë perëndie
Shpirt i japin kohës
Me fuqinë e mendjes
Ndërtojnë Kalanë e Urtisë

Ishin abetarja e jetës
Vigan që e vrisnin errësirën
Pishtarë të ndezur
Qe dritë u jepnin legjendave

Burrat e odave tona
Lisa të Krenarisë
Nderë i bënin plisit
E rëndë ju peshonte fjala

Kur zgjedhin enigmat
Shqipet pushtonin lartësitë
E shtigjeve të jetës
Lirshëm merrte udhë lumturia

26. 04. 2015 – 01:25 h

/Frymëzuar nga burrat e Odës së Zërit të Arbërit/

Samstag, 21. März 2015

E magjishmja poezi

Nga Haxhi Muhaxheri
 

Dritën ia vodha diellit
Hënës bukurinë

Fillikat
udhëtova planeteve
e luftë ju shpalla Perëndive

Pastaj...
për vrimë të gjilpërës
e kalova detin

Vdiqa e linda
disa herë për Ty

Por...
prapë e virgjër mbete
e loze me mua 
si me një fëmijë

Ti... e dashura ime
E magjishmja poezi


21. 03. 2015 

__________________

Komente nga lexuesit dhe miqtë në Facebook

Ragip Kçiku:
Zanati më i dhimbshmi ku rrëfehet shpirti poet i nderuar Haxhi Muhaxheri!

Pal Ndrecaj:
Nji poezi e mire qe shpreh per bukuri lidhjen e misherimin e poetit me artin!

Hamit Taka:
Brilante. Binjakeria e poetit te talentuar me plazmen e vet, poezine.

Anastas Nika:
Vargje qe shprehin sakrificat tuaja te panumerta ne kufij te se pamundures per te dashuren tuaj , poezine,...dhe prape ajo mbeti e virgjer ne shpirtin tuaj.Por Poeti lufton ta beje te tijen gjer ne frymen e fundit poezine...

Spiro Naqo:
E mrekullueshme! Pak vargje e shumë mendime! 

Imri Trena:
Nuk ka thën kot Gëte: "Është e bukur ta shohësh botën, po sidomos botën e poetëve".

Samstag, 17. Januar 2015

Engjëll apo djall


ENGJËLL e quajtën
Tha: "Jam vet djalli"
Të gjithë ia kthyen shpinën
Ai u bë një me errësirën
Vetetima erdhën prej qielli

DJALL i thanë herën tjetër
Ai ndryshoj formë dhe tha: 
"Jam i dërguari i perëndisë"
Njerëzit ikën të lemeritur
E shekujve filluan rrebeshet

Dhe kurrë nuk u mor vesh
Në ishte engjëll apo djall
Herë shfaqej krejt i zi
E herë me lëkurë të bardhë

Haxhi Muhaxheri, 16 janar 2015
________

Komente në Facebook

Gjon Rroku:
E thjeshte ne te lexuar, e thell per mesazhin qe percjell. A mos njerzit jane te "denur " te mos marrin vesh se kush na drejton: "engjulli apo djalli".

Hamit Taka:
Vete zoti shfaqet me dy fytyra: per dike engjell, ne pergjithesi per te keqinjte dhe per disa djall, ne pergjithesi per te miret.

Engjëll I. Berisha:

Njeriu, ne kete vorbull, nuk behet dot nje. Po ndahet ne dy figura, dy fytyra, dy veprime, dy, tri, njeqind ndjenja. Ndarja eshte ne thelb, ne njeqind cope. Kjo e tjeterson njeriun. Nuk eshte me njeriu, eshte gjithçka, siç e keni thene ne poezi, por vetem njeri nuk po mbetet. Te lumte per poezine poet.