|
Haxhi Muhaxheri |
ËNDRRAT NË MEDVEGJË
Kur në sytë e zemrës
hijshëm më shfaqet
imazhi yt i djelltë
planeteve jehon
simfoni e gjetheve
dhe në kokën time
shpëthejnë meteorët
Eeeee... Mina moj
vonë u zgjuan ëndrrat
në Medvegjë
28. 04. 2021
Ai...
Emrin e kishte Bajram
Burrë i fjalës dhe besës
Babai i tij… quhej Ali
E gjyshi – Kadri
Gjithmonë…
Bajrami i kremtonte
Festat e Bajramit
Lutej dhe agjëronte
Si muhamedan
Por...
Sa herë e zinte gjumi
Ëndrrave bënte kryq
Dhe takohej me Zotin...
1984
|
Haxhi Muhaxheri |
Engjëll e djall
mban lidhur
rreth qafe
Kur njëri fle
zgjohet tjetri
Dhe bota
zvogëlohet
në sytë e saj
Sa herë që vjen vera
Ëndrrave më shfaqesh
Ti moj – si një engjëll
E shpirti flakë më digjet
Na e vranë verën – Vera
(Eu... ata e vrafshin veten!)
Paçka se...një Zot e kishim
E shqip i luteshim të dy
Tash... S'na mbeti tjetër
Veç t'i kujtojmë netët
Kur fshehtas loznim me yje
E zjarri ndizej brenda nesh
1986
Një Lis – babai
Mbjellur e kishte në Plis
Rritjej e rritej Lisi
Ndritej shkëlqente Plisi
Lis në Plis
E Plis në Lis
Babai udhëtoj qiellit
E Lisi u bë një me diellin
_____
Haxhi Muhaxheri
12.06.2018
|
Haxhi Muhaxheri |
Më fal moj grua
se mbrëm
tradhëtuar të kam
me fqinjën leshverdhë
që mendsh luan perënditë
Bobo... ç'më bëri shejtanka
shpirtin desh ma nxori
ëndrrave – gjithë natën
_____
Haxhi Muhaxheri
12.06.2018
|
Haxhi Muhaxheri |
Në Çamëri
sa herë që bie shi – ndizet qielli
dhe Lumi i Lotëve del nga shtrati
Atje –
të gjitha lulet
mbajnë erën e gjakut
Në Çamëri – çdo natë
dëgjohet vaji i fëmijëve
që djepat ua kanë djegur
dhe perëndive u errën sytë
Atje –
më nuk këndohen ninulla
as Vallja e Osmat Takës luhet
Në Çamëri
Sa herë lind dielli
mbijnë lulet e shpresës
dhe ëndrrat përshpirten
në rrethin e shtatë
Atje –
veç Zoti nuk është zën peng
.............................................
______________
Haxhi Muhaxheri
02.06.2018
|
Haxhi Muhaxheri |