Freitag, 26. Dezember 2014

Ai e ka mundur vdekjen

Poezi nga Haxhi Muhaxheri

I madh ishte Ai
Lutej edhe për vrasësit
E ne harruar kemi
Të lutemi për vetveten
Dhe dashurisë
Përditë i zëm pusi

Ai është ringjallur
E ne vdekjes i shkojmë pas

Zotynë
Na i falë mëkatet
Se nuk dimë ç'bëjmë
Na e largo urrejtjën
Ta shërojmë jetën
E shpirtit ti japim bardhësi

Ai mundur e ka vdekjen
Po të gjallë a jemi ne
_____________
Në prag të Krishtlindjeve 2014

Dienstag, 28. Oktober 2014

Rrahim Sadiku - Kur ke shumë shokë

 
Kur ke shumë shokë
(Haxhi Muhaxherit,
në shenjë falënderimi e nderimi
për punën që bënë)

Kur ke shumë shokë
ke më shumë zemër,

më shumë vrull pune,
më shumë mirësi;
kur ke shumë shokë
dita shkurtohet
shndërruar në punë,
në etje për ardhmëri;
kur ke shumë shokë
ke më shumë liri,
më shumë atdhe;
kur ke shumë shokë
veten tënde shpalon para botës,
bota hapet për ty -
i tëri lumturi e dashur je!

17. 10. 2014

Komente ne Facebook:

MIKEL GOJANI, shkrimtar:
Poezi me vlera dimensionale,qe ben fjale per nje krijues te palodhshem te letersise dhe kultures shqiptare, njeheresh edhe shperndares i zellshem te drites se mendimit, te diturise dhe i vertetesise se te tjereve.

AGIM GASHI, rapsod dhe poet:
Rrahimim, e ka vra shenjen sot. Poezi e thurrur mjeshtërisht dhe për një person me vlera të pakrahasueshme kombëtare. Haxhiu nuk u ndal asnjëherë, as në atdhe e as në mërgim për atdhe. Mua zemra mal më bëhet kur shof që Haxhiun e nderojnë njerzit. Fundja ai që nderon Haxhiun, ka nderuar veten. Sepse, Haxhi Muhaxheri meriton respektin nga kolegët dhe të gjithë ata që e shkruajnë dhe e duan poezinë dhe çdo gjë që merret me letërsi. Ju Uroj te dyve suksese e lumturi në fitore të reja!

PREND BUZHALA, shkrimtar dhje studius i letërsisë:
Po i bashkangjitem Agimitt: e ke goditur shenjën me këtë tribut poetik...

MUSA JUPOLLI, poet:
Haxhi Muhaxheri i mveshur me ngjyra pene, me dashuri arti, si në vargun e poetit Rrahim Sadiku.

MENTOR THAQI, poet:
Haxhi Shqipnia, poeti i 7 palë zemrave dhe 77 palë dashurive në shpirtin e tij të madh ... sa i kompletuar lexohet dhe frymon në vargun e Rrahimit !!!

Samstag, 16. August 2014

Lutje

Poezi nga Haxhi Muhaxheri


LUTJE PËR POETIN

/Pas kumtit për ikjën e Ali Podrimjës/

Zot
na e kthe  poetin
ai veç lule mbolli në jetë

Me këngë mundi të keqen
e shpirt i dha dashurisë

Nga kockë e tij bëri fyellin
për të lozur melodine e atdheut 

20.07.2012

Kur iku babai

Nga Haxhi Muhaxheri
 
KUR IKU BABAI
 
Kur iku babai,
nëna tha:
-Heret na la plaku!
E në ball,
iu shtuan rrudhat!
 
Ajo,
përditë fshinte pluhurin
nga fotografia e tij,
e buzet i leviznin
pakuptueshëm!
 
Kurr nuk e mora vesh,
lutej për tim at
a veten mallkonte…
Në fytyrën e saj
rrallë shihej buzqeshja!
 
1994

Mittwoch, 14. Mai 2014

Frymzon për lidhje të ngushta ndër breza


Nga Rrahim Sadiku, shkrimtar

Frymzon për lidhje 
të ngushta ndër breza
(Haxhi Muhaxherit)

Për krijimin shqip reflekton rreze të pafundëta dashurie.
Ura krijon për lidhje të vazhdueshme miqësie.
Shqiptarinë e do të madhërishme, gjithmonë në ngritje.
Vë në dukje secilën arritje.
Zemra të rritet për secilën ngjitje drejt përsosmërisë.
Vlera nga e kaluara i bart drejt ardhmërisë.
Frymzon për lidhje të ngushta ndër breza,
Të na mbulojë drita, nga ne të mërgojë e zeza.
Ta njohim botën, si e meritojmë të njihemi në botë,
Me kohën të ecim duke mbushur zemrën plot,
Nga rrugë e përparimit të mos na ndalin dot,
Të mos ndalemi kurrë duke krijuar afri njerëzore,
Me vepra të qëndrueshme duke u stolisur prore.


14.05.2014
____________
Marrë nga Facebook-u

Mittwoch, 23. April 2014

Mini ese për poezitë e Haxhi Muhaxherit

 
Nga Rrahim Sadiku, shkrimtar

Mini ese për poezitë
e Haxhi Muhaxherit

Poezia e Haxhi Muhaxherit shëtit nëpër kohë e ngulitet në truallin e atdhedashurisë, ku e gjen edhe etja prej poeti, edhe malli prej mërgimtari, edhe shtytja prej kërkimtari. “Damarët e zemrës mi dogji mall” na bënë të bashkëndjejmë ai, duke patur në horizontin e mendjes një kohë kur “yjet do na kenë zili” dhe “i njëjti diell na ngroh”, në atdheun ku janë zbrazur “të gjitha marrëzitë e kësaj bote” dhe aty janë shtruar edhe dhembje shumë të mëdha, të cilat i ndjejnë të gjithë, po që janë tragjike për zemrën e ndjeshme të poetit, që në poezinë e tij simbolizohet me të madhin Ali Podrimja, i cili edhe gjallë edhe tashti, na kujton se në mendjen krijuese “kënga e re po vjen”. Dhe kjo këngë e re madhërohet me plisat, lartësohet me lisat, lahet me dhembje e dashuri Ҫamërie, duke u shndërruar kështu në simbol fitoreje, dëshire që kjo e arritur të shkojë deri në fund, që bota shqiptare të jetë e ndritur dhe me vendin e merituar në trojet etnike e në botë.

21. 03. 2014

Freitag, 21. März 2014

Shqipëria

 Poezi nga Haxhi Muhaxheri
Ishte nuse
që ia kishin zili perënditë
Nga shkëlqim i nurit të saj
dritë merrte edhe dielli
Kahmot e lakmonin
kodoshet e Olimpit
Ajo nuk jepej
ajo nuk merrej
Mallkimin ia varë në qafë
E trupin ia gjymtuan
Atëbotë
Kur Europa qeverisej nga djalli
21. 03. 2014


Komente:

YMER NURKA, shkrimtar
Me domethenie artistike. Nje ravijezim metaforik, i fatit te Shqiperise sone. Kam dyshim, se djajte qeverisin edhe sot Evropen, edhe pse jane me diplomate dhe te rafinuar. Vargje qe sfidojne mediokritetin e te ashtuquhajturave pena kombetare.