Sonntag, 1. April 2018

Fjala kryeneçe

Ma zbardhe natën
e ditën krejt ma sose 
Ti – e pabindura fjalë
që u trembesh lindjeve

Dreqi e marrtë –
pse ruan virgjërinë
kur e di mirë moj
që jam ujk i moçëm
____
Haxhi Muhaxheri
28.03.2018

Mittwoch, 14. März 2018

Verës, në Ditën e Verës...


Haxhi MUHAXHERI

VERËS, NË DITËN E VERËS...

Ti Verë – veç shpirtit - more krejt çka tjetër deshe nga unë
Pastaj – mallkimet në emër të Krishtit e të Muhamedit
Shëmtuan bukurinë e stinës – plagosën ëndrrat e blerta
E ne vazhdonim lutjet – duke bërë kryq e duke puthur token
Prej frikës së magjive apo të dehur nga opiumi i gënjeshtrave
Pa e kuptuar kurrë fjalën e Zotit – bekimin e tij për dashurinë

Tash – veç kujtimeve – s’ka mbetur asgjë tjetër moj – asgjë
Unazat që moti janë ndryshkur – shpresat janë zverdhur  
Rrugët që i kemi pagëzuar pranverave – kanë ndërruar emër
Janë mbyllur të gjitha shtigjet – vrarë i kanë edhe zogjtë
Qiellit dëgjohen vargjet e poetëve për dashuritë e humbura
E nata veshur ia ka planetit përdhunshëm rrobat e zeza

Sot është Dita e Verës – njerëzit kapin rrezet – shkëlqejnë
Kurse ne mërdhijmë e mërdhijmë – se rrahur na kanë dimrat 
As ngjyrat më nuk i dallojmë – as erën e vjollcave s‘e ndjejmë
E s’kemi zgjidhje tjetër moj – veç të ikim largë e më largë
Tej shtatë maleve e deteve – në Ishullin Eta – atje ku sundon Perëndesha e Egër – të cilës edhe Zoti i bie në gjunjë… 

14 mars 2018

Sonntag, 25. Februar 2018

Kujdes me gratë



Haxhi MUHAXHERI

KUJDES ME GRATË...

Në do ta kalosh 
Urën e Ferrit – fillo ta duash 
një grua të përhënur

Ajo – 
t’i djeg të gjitha stinët

Nëse do ta mësosh 
bukurinë e gënjeshtrës
dashuro një leshverdhë
që qanë e qesh në pasqyrë

Ajo – 
edhe Zotin e mashtron

Në daç veten ta mallkosh
jepi dashurinë një gruaje
Qe puthur e ka zhgënjimin

Ajo – 
do t’i vrasë edhe lutjet

Po deshe të marrësh 
plagë zemre – plagë shpirti
besoi gruas që t’puthë 
me zjarrin shuar buzëve

Ajo – 
mërdhin edhe diellin

Në daç veten ta vrasësh 
beso fjalët e një gruaje
që të thotë – Të dua
pas dimrit të gjatë të pritjes

Ajo – 
lëkurën tënde do ta vesh

23 shkurt 2018

Montag, 19. Februar 2018

Daullet e turpit


Haxhi MUHAXHERI

DAULLET E TURPIT

Sot – horrat me kollare e plisa të bardhë
si për çdo përvjetor - do të vendosin lule
dhe të bëjnë foto tek shtatoret e heronjëve

Sot – do ta kremtojmë lindjen tënde Kosovë
bashkë me ata që t‘kafshuan deri n'palcë
damarët t’i gjymtuan e diellin ta qorruan

Sot – do ta festojmë ditëlindjen Ty Atdhe
tok me kopilat që Gjegjin duan ta dëbojnë
historinë ta vrasin – Flamurin ta ndalojnë

Sot – do të këndojnë e të gëzohen – o Nënë
se po i varrosin ëndërrat e bijëve tu dëshmorë
dhe qiellit ia plagosin shqiponjat n‘fluturim

Sot – do të bien fort daullet e turpit
do të çirren – të çirren e të çirren maskarenjtë 
dhe Lirisë kanë për t’ja nxjerr dhëmbin e syrit

17 shkurt 2018

Pa Shën Valentinin


Haxhi MUHAXHERI

PA SHËN VALENTININ

Në Ishullin Eta 
bëhet dashuri kozmike
dhe s’flitet më për Shën Valentinin

Atje – Perëndeshave 
përditë u jepen Lule Zemre 
e çokollata me lajthi

Atje – të dashuruarit
ushqehen më bioëmbelsira
mjaltë buzësh e reçel fiku

Atje – njerëzit ngrohen 
nga puthjet – përqafimet
ledhatimet e zjarr i dashurisë

Atje – edhe Perënditë japin shpirt 
mes shalëve – në pritje të orgazmës
psherëtimat thurin simfonitë

14 shkurt 2018

Atdheu


Haxhi MUHAXHERI

ATDHEU

Është oqean i vogël 
i trazimit të madh
ku bien heronjtë

Tokë e pushtuar
nga magjia e shkretirës
ku vritet ëndrra e Gjergjit

Është vend prostitutash
veshur me ngjyrat e flamurit
ku lindin kopila që shesin veten

Luadh gomerësh
a mal ujqërish të uritur
që e kafshojnë tinëz Lirinë

Atdheu – 
është plagë zemre 
që po rritet... rritet... e rritet...

4 shkurt 2018

Zogjtë dashurojnë lirshëm


Haxhi MUHAXHERI

ZOGJTË DASHUROJNË LIRSHËM

Zogjtë – janë me të guximshëm se ne
Ata e duan më shumë Lirinë – flut‘rojnë
Këndojnë e hedhin valle kur t‘ju teket
Dhe s’pjerdhin fare për rregulla qeverish

Zogjtë – puthen e bëjnë dashuri lirshëm
Sy botës – në ajër – mes lulesh në tokë
Maje lisash a mbi kulme shtëpish
Dhe kurrë s’çajnë bythën për etikën

Zogjtë – nuk janë kopila të Ajnshtanjit
Ata s’ja varin as Platonit e Aristotelit
Hesiodit e Pitagorës – Niçes a Hegelit
Madje – as biblën e kuranin e kanë lexuar

Zogjtë nuk e dijnë se kur është hëna e plotë
S‘dijnë as çka janë numërat – ëndrrat – magjitë
S‘bëjnë kurrë kontratë martese – sikur ne 
Që veten mashtrojmë dhe i përligjim tradhtitë

Zogjtë na mësojnë – ç’pamje ka Liria
Zogjtë na tregojnë – çka është dashuria
Ata kurrë nuk vuajnë nga mendësia e robit
As hundet i fusin në punët e Zotit

2 shkurt 2018