Montag, 19. Februar 2018

Heroin s'e zë gjumi


Haxhi MUHAXHERI

HEROIN S'E ZË GJUMI

Perëndesha ime – Ty kurrë
s'të ka munguar guximi.

Eja – Eja moj –
zjarri ende nuk është shuar.

Në Planetin Eta – jetohet mirë.

Atje Heroin nuk e zë gjumi –
Po s'ja puthi diellin Lirisë.

Kthehu – Kjo s'është 
thirrja ime e fundit.

Edhe Gjergji – 
një dashni e kishte për At'Dhe!

24 janar 2017

Zgjimi i muzës


Haxhi MUHAXHERI

ZGJIMI I MUZËS

Ditët nuk kanë ikje 
ato vetëm vijnë

Kështu m'tha një flutur
dhe puthi lartësitë

Andej kah lind dielli
u dëgjua një klithmë

Muzës iu prish gjumi
n'shpirt u ndez një dritë

12 janar 2018

Gjámë


Haxhi MUHAXHERI

GJÁMË

M’vrave – m’qorrove – m’zezove –
M’lé mejt n’ditë t’sodit – e jemja dashni.

Jam bá me m’kja Shkup e Shkodër – 
Kukuuu… emnin vedit má s’po ja di !

22 janar 2018

Klithmë

Haxhi MUHAXHERI








KLITHMË

Kur diellit iu shua rrezja n‘sy
galaktikave mori udhë dhembja
e një klithmë shpirti jehoj qiellit

Pastaj – fjala e mbetur peng
u shkrua mbi një gur varri
e loti i vrao të gjitha simfonitë

Ç'borë e madhe ka rënë mbi Itakë

21 janar 2018

Freitag, 19. Januar 2018

Liri dhe dashuri

Haxhi Muhaxheri

LIRI DHE DASHURI

Liri është – përnjëmend Liri
Kur djeg rrobat e turpit
e nga maja e Kullës së Babelit
botën e shikon lakuriq!

Guxim e Liri zemre është
ta vrasësh frikën –
edhe para Zotit 
dhe lirshëm të thuash:
– Perëndeshë… të dua!
    
Dashuri është edhe Liria 
kur mbi gjoksin e të dashurës,
me maje gjuhe –
vizaton hartën e atdheut!

Liri... o sa Liri është 
kur ndonjëherë – 
bash për pikën e qejfit
e me lezet shpirti
i thua edhe gruas – ik!

Dhjetor 2017

Donnerstag, 18. Januar 2018

Ajo nuk i do gjërat e vogla

Haxhi Muhaxheri

AJO NUK I DO GJËRAT E VOGLA

Ajo nuk i do gjërat e vogla imtësitë
se t‘mëdha i ka ndjenjat bardhësitë

Të madhe e do edhe shtëpinë
me shtrat të gjerë perandorak
dritare të hapura pëplot me dritë
e burrin vigan bash si perënditë

Eta është krejt botë n’vete
E n’shpirt i mban të gjitha mirësitë
dimension i panjohur lirie është ajo
e çilter madheshtore si republikë

Ajo nuk i do gjërat e vogla imtësitë
Është vet Perendeshë që shndrit

8 janar 2018

Sonntag, 14. Januar 2018

Shkelja e kufijve

Haxhi Muhaxheri

SHKELJA E KUFIJVE

Në Ishullin Erta – ka nisë dimër i madh
Shpirtit përditë i shtohen akullnajat
E ëndrrat i merr kolla e thatë

Atje – përveç të zezës
Të gjitha ngjyrave u rënë pika
E tash – nuk këndohen serenada
As lule u jepen perëndeshave

Në atë ishull të shkretë – ku magjia shëmton
Më nuk bëhet seks – as dashuri – si dikur
Se orgazma përjetohet krejt ndryshe

Atje – njerëzit shkërdhehen me numrat
Teoremën e Pitagorës - Kodin e Davinçit...
Orë e çast shkelin kufinjtë e ndaluar
E zotit – duan t’ja vjedhin fuqinë

Thonë se atje – nuk do të zbardh më dita
Thonë se atje – do të përseritet Atlantida

13 janar 2018