Dienstag, 3. Oktober 2017

Lind e vdes për fjalë


GEZUAR, O VËLLA...
(Atdhetarit dhe shkrimtarit
Haxhi Muhaxheri)

Asnjëherë s'munda te vij
- asnjëherë s'mujte me ardhë
E aq i afërt më dukesh
O Haxhi Muhaxheri shpirtbardhë.

Aq shumë banë për te tjerët
- më shumë se për vehtën,
Si qiriri po shkrihesh
për shqiptari tërë jetën.

Sa miqet e fjalës
Ti i mban gjallë,
- Ti o burrë i besës
Qe lind e vdes për fjalë.

Sa erërat të rrahen
Ti ngele si lis - vertikal,
Edhe pse e dije
Që, çka s'ka në mal.

Shumë përshendetje
Ke o vëlla prej meje,
Shendet e gëzuar
Më një birrë Peje!

03.10.2015

Montag, 8. Mai 2017

Pak fjalë për poezinë e Haxhi Muhaxherit


Maxhun Osmanaj, poet

Pasi lexuam një cikël me poezi nga poeti Haxhi Muhaxheri, s'ke mundësi të qëndrosh indiferent pa thënë diçka, kur ato vargje kanë një patos burrëror, atdhetar, një lirizëm me mall-etje, krijime përkushtuese që duhet ndalur dhe t'i studiosh pak më tepër. Zgjohu poet, një thirrje burrërore për ta parë pasqyrën e atdheut sesi është "zgjohu e zhvish të gjitha marrëzitë e kësaj bote“. Në çdo poezi, Muhaxheri sikur ka fjalën top, godet, ndërsa meditimi është i thellë, sikur nxirret nga thellësia e atdheut të vrarë, të lënduar nga biografia e plagosur e atdheut. Një figuracion i pasur, i matur, një gjuhë figurative ku çdo fjalë ka mesazhin e vet. Prandaj, poezia e Haxhi Muhaxherit, tashmë ka një vend të merituar në sofrën e pasur të antologjisë poetike shqiptare. Ai shkruan pak, por me maturi... 

Mittwoch, 16. November 2016

Sa herë vjen Nëntori

Haxhi Muhaxheri

Sa herë vjen Nëntori

Sa herë vjen nëntori
thua se të gjithë
duam të jemi Adem Jashar e Isa Boletin

Me plisin e bardhë në dritë të syrit
bëjmë foto duke e puthur flamurin
e fjalët i ngjyrosim kuq e zi

Pastaj…
harrojmë të marrim frymë shqip
e kafshojmë lirine vetveten
bëjmë jetë ujqërish
diellin ia vërbojmë atdheut
e zotin duam ta kemi veç për vete
Medet...
…………………
…………………

28. 11. 2015

Freitag, 9. Oktober 2015

Kur hesht Zëri i Arberit


KUR HESHT ZËRI I ARBËRIT

Kur hesht Zëri i Arbërit
Dëgjoj veç krrokama
E shurdhër më bëhet bota
Dhe ëndërrat më treten

O Zot
Qiellit fluturojnë sorrëzezat
E dritën duan ta vërbojnë

Kur hesht Zëri i Arbërit
Trazohen edhe valët e detit
Qajnë yjet Lisat Plisat
E dielli e humb ngrohtësinë

Bobo
Zgjohen Orët e Liga
E qoftëlargu heq valle


Haxhi Muhaxheri, 03. 09. 2015 - 22:00 h

Mittwoch, 3. Juni 2015

Nesër...


Nesër...

Poezi nga Haxhi Muhaxheri

Nesër do jem edhe për një vit më i moçëm
Një vit do ikën tinëzisht nga jeta ime
Dhe më afër do jetë dita e lamtumirës
E miqët do të më urojnë si përhera...

Nesër do dehëm e xurxull do të bëhem
Për ti harruar të kqijat e kësaj bote
Dhe gjithë të dashurat do ti sjell në mendje
Që dashuria të mbretëroj në shpirtin tim

Nesër edhe dita do të jetë më e ngrohtë
E dielli ka për të lozur me ëndërrat e mia
Nesër veç muzat do më bëjnë shoqëri
E veten kam për ta shpallur mbret
___________
E çastit, 03. 06. 2015 / 11:30 h

Samstag, 25. April 2015

Lisat e mendjes

Poezi nga Haxhi Muhaxheri

Me gjuhë perëndie
Shpirt i japin kohës
Me fuqinë e mendjes
Ndërtojnë Kalanë e Urtisë

Ishin abetarja e jetës
Vigan që e vrisnin errësirën
Pishtarë të ndezur
Qe dritë u jepnin legjendave

Burrat e odave tona
Lisa të Krenarisë
Nderë i bënin plisit
E rëndë ju peshonte fjala

Kur zgjedhin enigmat
Shqipet pushtonin lartësitë
E shtigjeve të jetës
Lirshëm merrte udhë lumturia

26. 04. 2015 – 01:25 h

/Frymëzuar nga burrat e Odës së Zërit të Arbërit/

Samstag, 21. März 2015

E magjishmja poezi

Nga Haxhi Muhaxheri
 

Dritën ia vodha diellit
Hënës bukurinë

Fillikat
udhëtova planeteve
e luftë ju shpalla Perëndive

Pastaj...
për vrimë të gjilpërës
e kalova detin

Vdiqa e linda
disa herë për Ty

Por...
prapë e virgjër mbete
e loze me mua 
si me një fëmijë

Ti... e dashura ime
E magjishmja poezi


21. 03. 2015 

__________________

Komente nga lexuesit dhe miqtë në Facebook

Ragip Kçiku:
Zanati më i dhimbshmi ku rrëfehet shpirti poet i nderuar Haxhi Muhaxheri!

Pal Ndrecaj:
Nji poezi e mire qe shpreh per bukuri lidhjen e misherimin e poetit me artin!

Hamit Taka:
Brilante. Binjakeria e poetit te talentuar me plazmen e vet, poezine.

Anastas Nika:
Vargje qe shprehin sakrificat tuaja te panumerta ne kufij te se pamundures per te dashuren tuaj , poezine,...dhe prape ajo mbeti e virgjer ne shpirtin tuaj.Por Poeti lufton ta beje te tijen gjer ne frymen e fundit poezine...

Spiro Naqo:
E mrekullueshme! Pak vargje e shumë mendime! 

Imri Trena:
Nuk ka thën kot Gëte: "Është e bukur ta shohësh botën, po sidomos botën e poetëve".